Spanjë-Gjermani, “Wirzala” përballë provës së zjarrtë

Spanjë-Gjermani, “Wirzala” përballë provës së zjarrtë

Spanjë-Gjermani, por edhe Williams e Jamal kundër Wirtz e Musiala.

Përballja e së premtes në Stuttgart premton spektakël, midis dy skuadrave më të mira të Euro 2024 deri tani, me lojën më bindëse, me golat më shumtë të shënuar, por edhe me disa nga talentet më të mëdhenj që në vitet në vijim mund të ofrojnë një rivalitet të ngjashëm me atë që kemi parë në 15 vitet e fundit midis Leo Mesit e Cristiano Ronaldos, bashkë me të tjerë të afirmuar tashmë si Mbappe, Vinicius, Haaland apo i riu tjetër Arda Gyler.

Në katër ndeshjet e para, Nico Williams e Lamin Jamal kanë qenë më spektakolarë, me vallëzimet e tyre me top e festimet plot ngjyra; ndërsa Jamal Musiala e Florian Wirtz më produktive në përfshirjen direkt te golat. Musiala ka shënuar 3 gola, Wirtz 1, Williams 1 gol e 1 asist, Jamal ka dhënë 2 asist, pa e gjetur ende rrugën e rrjetës.

Dy spanjollët luajnë në krahë të kundërt të fushës, ndërsa dy gjermanët janë në fakt një dyshe e mirëfilltë, luajnë pranë njëri-tjetrit e kombinojnë shpesh për shkak të pozicioneve që kanë në sulmin e Gjermanisë, aq sa kanë fituar edhe emrin Wirtziala.

Veç aksioneve në fushë, Williams e Jamal dhe Wirtz e Musiala janë miq edhe jashtë saj, çka vetëm e përmirëson atmosferën dhe bashkëpunimin. Kushdo që të fitojë, spektakli është i garantuar, nesër, por edhe në vitet në vazhdim.

Share This