Haaland e Guardiola, më të mirët
Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka shpallur të enjten në mbrëmje edhe fituesit e çmimeve për më të mirët e vitit, si sa u përket futbollistëve, ashtu edhe trajnerëve.
Dhe, natyrshëm, Manchester City, skuadra që fitoi 3 trofetë e sezonit të shkuar dhe u shtoi së fundmi atyre edhe Superkupën e Evropës, ishte ajo që mbizotëroi, teksa 3 nga 6 kandidaturat ishin në fakt të saj.
Kështu, për Çmimin e “Lojtarit Evropian të vitit” për sezonin 2022-2023, ishin përzgjedhur si kandidatë përfundimtarë dy futbollistët e Manchester Cityt, mesfushori Kevin De Brune dhe sulmuesi Erling Haaland, së bashku me Lionel Messin, i cili e udhëhoqi dimrin e shkuar përfaqësuesen e vendit të tij, Argjentinën, drejt titullit të kampiones së botës në Katar.
Fitues u shpall sulmuesi Haaland, i cili ishte vendimtar drejt triumfit të trefishtë të skuadrës angleze sezonin e shkuar.
Ndërkaq, sa u përket 3 kandidaturave për Çmimin e “Trajnerit Evropian të vitit” për sezonin 2022-2023 ato ishin dy trajnerët e finales së Ligës së Kampioneve, ai i Manchester Cityt, Pep Guardiola, dhe ai i Interit, Simone Inzagi, por edhe Luciano Spalletti, trajneri që e udhëhoqi Napolin e tij drejt titullit të 3-të të kampiones së Italisë në një sezon të jashtëzakonshëm.
Dhe çmimi natyrshëm shkoi për Pep Guardiolën, ndërsa mesfushorja e Barcelonës, Aitana Bonmati është shpallur futbollistja më e vitit, kurse trajnerja e Anglisë, Sarina Ueigman, u shpall më e mira e sezonit të shkuar.
Çmimin presidencial të UEFA-s për kontributin në futboll e ka marrë gjermani Mirosllav Klose.