141 raste të trajtuara nga 7 gjykata, vetëm 34% të rasteve janë me dënim me kusht dhe gjobë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga OSBE në të cilën u lansua raporti i vlerësimit të gjykatave në gjykimin e rasteve të dhunës në familje.
“Nga ky raport rezulton se nga 141 rastet e trajtuara nga 7 gjykata në Republikën e Kosovës, vetëm 34 % të rasteve janë me dënim me kusht dhe gjobë, 22% dënime me gjobë dhe 22% aktgjykime që kërkojnë vlerësim të detyrueshëm psikiatrik. Në shumicën e aktgjykimeve me të cilat të pandehurit janë shpallur fajtor, dënimi mesatar me burgim efektiv ishte pak më shumë se pesë muaj, e shuma mesatare e gjobave aktuale dhe atyre me kusht ishte 350 euro”, ka bërë me dije Haxhiu.
Bazuar në këtë raport, Haxhiu ka theksuar rëndësinë shqiptimit të dënimeve maksimale për dhunuesit.
“Kodi Penal parasheh dënim deri në 3 vite burgim për veprën penale të dhunës në familje ndërsa ende nuk kemi asnjë rast ndaj të cilit është shqiptuar një dënim i tillë madje ka dënime nën minimumin e asaj çfarë parasheh Kodi Penal. Dënimet alternative me kusht ose gjobë në rastet e dhunës në familje përbëjnë inkurajim për dhunuesit dhe në anën tjetër dekurajim për të mbijetuarat e dhunës që të raportojnë rastet. Kërkova vëmendje, veprime serioze dhe të bazuara në ligj dhe përgjegjësi nga secili zyrtar në rast të mosveprimit apo veprimit të gabuar”, ka deklaruar Haxhiu.