IKD-ja: Qeveria realizoi vetëm 15% të agjendës legjislative
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) çdo vit monitoron zbatimin e programit legjislativ brenda programit “Qeverisja e Mirë”.
Vlerësimi bazohet në indikatorë si planifikimi adekuat, kushtetutshmëria, ligjshmëria, transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në procesin e vendimmarrjes.
Ky monitorim vlerëson nëse procesi legjislativ është në përputhje me standardet demokratike dhe ka përfshirë të gjithë akterët relevantë.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, IKD-ja ka identifikuar mangësi thelbësore në qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj planifikimit legjislativ.
Sipas IKD-së, për të tretin vit radhazi, Qeveria dështoi të miratojë programin legjislativ në fillim të janarit, duke e miratuar më një muaj vonesë.
“Kjo vonesë ka cenuar procesin e planifikimit dhe ka krijuar pasiguri për publikun, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe institucionet përkatëse. Pas miratimit të vonuar, programi legjislativ shpesh është ndryshuar, duke treguar mungesën e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme. Programi për këtë vit iu nënshtrua ndryshimeve në shkurt”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Një tjetër çështje shqetësuese është mospërfshirja në programin legjislativ të projektligjeve që rrjedhin nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Planit Kombëtar për Zhvillim dhe Programit Qeverisës 2021-2025. Këto projektligje janë thelbësore për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe për zhvillim të qëndrueshëm.
“Mospërfshirja e tyre reflekton mungesë përkushtimi ndaj reformave strukturore dhe prioriteteve të qeverisë. Kjo mangësi e përsëritur tregon paaftësi në zbatimin e politikave publike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e qeverisjes dhe aftësinë për të adresuar nevojat e qytetarëve. Për më tepër, kjo neglizhencë mund të shkelë standardet demokratike dhe të zbehë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, ka vlerësuar IKD.
Sipas programit legjislativ, Qeveria planifikoi miratimin e 52 projektligjeve deri në qershor, por nga 52, ajo miratoi vetëm 8, ose 15% të projektligjeve të planifikuara.
“Gjatë kësaj periudhe, Qeveria miratoi edhe 10 marrëveshje ndërkombëtare që nuk ishin planifikuar për miratim në programin legjislativ. Nga ana tjetër, Qeveria tregoi shpejtësi në miratimin e dy projektligjeve: njëri i planifikuar për shtator dhe miratuar në qershor (Projektligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore) dhe tjetri planifikuar për dhjetor dhe miratuar në prill 2024 (Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore). Në bazë të rezultateve të lartcekura, efikasiteti i Qeverisë në realizim të agjendës legjislative për gjashtëmujorin e parë do të arrinte vetëm 32%”, ka theksuar IKD.