Rama publikon pamje nga plazhi i Velipojës që pret çdo vit mijëra pushues
Plazhi i Velipojës i cili shtrihet në një gjatësi prej rreth 14 kilometrash nga grykëderdhjes së Bunës dhe arrin deri tek “Rana e Hedhun”, në afërsi të Shëngjinit, është një ndër destinacionet me tërheqëse në veriperëndim të vendit.
Vetëm rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, Velipoja është kthyer vitet e fundit një qendër turistike të frekuentuar kryesisht nga familjarë.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh me rërën kurative dhe i rrethuar nga gjelbërimi i pishave.
Plazhi i Velipojës karakterizohet nga një peizazh i pasur dhe i larmishëm, deti i pastër, rëra e imët e errët dhe e pasur me jod si një nga përbërësit me veti kurative, me laguna dhe fusha.
Qindra dhe mijëra pushues nga Kosova dhe vendet e tjera e zgjedhin fshatin turistik të Velipojës për pushimet e tyre verore.
Velipoja është e përfshirë në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe Bashkia e Shkodrës po harton një projekt për zhvillimin ekonomik të kësja zone.
E cilësuar “Porta e Alpeve”, nëpërmjet këtij projekti Bashkia synon të krijojë një infrastrukturë të përshtatshme që do të mundësojë një turizëm dhe shfrytëzim të territorit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.