Vitia: 6.4 milionë euro për pajisje për persona me aftësi të kufizuara
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se qeveria ka investuar 6.4 milionë euro në pajisjet për ndihmë të personave me aftësi të kufizuara.
Vitia, në një postim në Facebook, tha se investimi po realizohet për herë të parë nga Qeveria e Kosovës dhe se investimit i parapriu Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë në ndihmë të personave paraplegjikë e tetraplegjikë.
Sipas Vitisë, investimi do të kryhet brenda dy viteve dhe pajisjet e siguruara përfshijnë karroca për mbështetjen posturale për fëmijë të varur 100 për qind në karrocë, karroca posturale për fëmijë aktiv, karroca për tetraplegjikë, karroca elektrike të palosshme, paterica, tavolina ushqimi, lifte elektrike, dhe shumë mjete të tjera që ua lehtësojnë jetën, një përkujdesje për të gjithë.