I caktohet masa e paraburgimit një personi për krime lufte
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit S.L për veprën penale, `Krime lufte”.
Përmes një njoftim për medie, Gjykata Themelore, bëri të ditur vendimin e lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.L për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer vepren penale Krime të luftës kundër popullësisë civile.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.L dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri nëse lihet në liri, “i njëjti mund të jetë i paarritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes së tij dhe në këtë mënyrë mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale”.