BE për`Mirëdita dobardan`: Të shqetësuar për politizim të nismës kulturore
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për shkak të ndalimit të festivalit Mirëdita, Dobar Dan në Beograd.
Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i BE-së Peter Stano, ka thënë se ky festival është iniciativë e lavdërueshme e shoqërisë civile që kontribuon në ndërtimin e urave ndërmjet njerëzve në Kosovë dhe Serbi përmes aktiviteteve kulturore.
“Jemi të shqetësuar për politizimin e një nisme kulturore të organizuar nga organizata të shoqërisë civile që dëshirojnë të promovojnë shkëmbimet ndërkulturore dhe të qytetarëve”, u shpreh zëdhënësi i BE-së.
Ai ka nënvizuar se është detyrë e autoriteteve shtetërore kompetente të sigurojnë që organizatorët të jenë në gjendje të veprojnë në një mjedis të sigurt dhe të gjithë qytetarët që dëshirojnë ta shijojnë festivalin duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në përputhje me të drejtat e tyre për lirinë e shprehjës dhe tubimin paqësor, raporton rtk.
“Si vend kandidat, ne presim që Serbia t’i mbajë këto standarde”, tha Stano.