Guvernatori Ismaili i dorëzon Konjufcës raportin vjetor të BQK-së
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ia ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, raportin vjetor të BQK-së për vitin 2023.
Në njoftim të BQK-së thuhet se guvernatori Ismaili e njoftoi kryetarin Konjufca me përmbajtjen e raportit vjetor 2023 që pasqyron punët dhe operacionet e BQK-së, performancën dhe stabilitetin e sektorit financiar dhe ekonomisë së vendit.
Raporti përmban pasqyrat financiare të audituara dhe të miratuara nga Bordi i BQK-së.
“Raporti, gjithashtu, paraqet qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të BQK-së dhe realizimin me sukses të objektivave dhe detyrave të ngarkuara nga Kushtetuta dhe Ligji për BQK-në”, thuhet në njoftim, raporton rtk.
BQK-ja thotë se vlen të theksohet se ky është viti i parë pas pavarësisë së Kosovës që BQK-ja si institucion kushtetues ka arritur ta plotësojë normën e përcaktuar ligjore në Llogarinë e Rezervave të Përgjithshme (neni 55 i Ligjit), duke siguruar qëndrueshmërinë financiare.
“Madje, sipas kërkesave ligjore (neni 56 i Ligjit), BQK-ja ka arritur të alokojë 50 % të të ardhurave të ndashme si të hyra për buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“BQK, si institucion i pavarur kushtetues dhe i besueshëm, që punon në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme ndaj publikut, me profesionalizëm dhe gjithëpërfshirje, mbetet e përkushtuar për arritjen e objektivave dhe realizimin e planit strategjik të saj, si dhe në komunikim institucional në pajtim me mandatin kushtetues”, përfundon njoftimi.