Mbi 20 vjet burgim për katër të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Mbi 20 vjet burgim për katër të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Gjykata Themelore ka dënuar me mbi 20 vjet burgim katër të akuzuarit në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Gjykata të akuzuarit Nedeljko Spasojveiq i shqipton dënim me burgim prej 4 vite e 6 muajsh. Të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha kur ka qëndruar në paraburgim dhe burgim shtëpiak. Të njëjtit i shqipton edhe gjobë prej 4 mijë e 500 euro.

“Të akuzuarin Marko Rushiq për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale vrasje e rëndë i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh. Gjykata të akuzuarit po ashtu i shqipton dënim me gjobë prej 10 mijë eurove. Të akuzuarit Dragisha Markoviq për veprën penale bashkëkryerje dhe keqpërdorim i pozitës i shqipton dënim me burgim prej 4 vitesh. Të akuzuarit Zharko Jovanoviq për veprën penale bashkëkryerje dhe keqpërdorim të pozitës i shqipton dënim prej 4 vitesh. Po ashtu i shqipton dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 eurove”.

Avokati Tomë Gashi ka kundërshtuar dënimin me gjobë për veprën penale, që lidhet me mbajtjen në posedim të armëve të ndryshme, të katër të akuzuarve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Gashi tha se në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-policë, e që sipas tij, për vepra kaq të rënda nuk do të duhej të shqiptohej vetëm dënim me gjobë.

“Vendimi i gjykatës për dënimin e shqiptuar  ka qenë në përputhje me ligjin. Por është e çuditshme që janë dënuar për vepra penale të rënda vetëm me gjobë. Një situatë e tillë nuk është normale. Policëve mund të ju mjaftojnë vetëm armët. Kjo i stimulon tjerët të mbajnë armë pa leje”, shtoi ai.

Ndryshe, Ivanoviq është vrarë më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut. /rtk/

 

Share This