Berisha: Të dhënat e Censit, të manipuluara
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, nesër publikohen të dhënat e Censit, të cilat theksoi ai, janë manipuluar nga e para, tek e fundit.
Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve të mbledhur poshtë ballkonit të banesës së tij, ku po vuan masën e arrestit të shtëpisë, Berisha tha se, “se cili është rezultati i këtij akti, unë dua t’u informoj ju vetëm kaq se i realizuar me të njëjtën metodikë si kjo e Shqipërisë, Republika e Kosovës i ka publikuar ato brenda ditës që është regjistruar dhe qytetari i fundit në atë vend. Sepse regjistrimi online e bënte të mundur plotësisht këtë”.
“Në vitin 2011, regjistrimi u bë me formularë të mbushur nga punonjësit duke takuar çdo qytetar. Megjithatë, publikimi i tij nuk mori kurrë më shumë se tre-katër javë. Në Serbi, regjistrimi i popullatës u publikua pas tre javësh”, tha ai.
Berisha iu rikthye gjithashtu çështjes së spitalit Onkologjik, ku disa mjekë akuzohen për shpërdorim detyre.
“Sot çdo njeri i madh dhe i vogël pavarësisht edhe nga bindjet e tij është i tronditur thellësisht me ato që mediet kanë paraqitur mbi gjendjen katastrofale të vëllezërve, motrave, nënave, baballarëve, fëmijëve, të rriturve në Spitalin Onkologjik të vendit”, u shpreh Berisha ndër të tjera.
Berisha theksoi se, “të sëmurët presin mjekimin me materiale, ata mbetën pa asnjë mjekim. Të tjerë presin analizat për diagnozë, ata nuk mund të diagnostikohen”. /atsh/