AGK për Bashën: Sulm ndaj lirisë së medieve, rrezikon sigurinë e Kusarit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka cilësuar sulm ndaj lirisë së medias deklaratat e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha në seancën e Kuvendit të Kosovës për mediat në përgjithësi dhe ato për juristen e medias, Flutura Kusari.
“Ky është një sulm i papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe pluralizimit medial në Kosovë. Basha ka etiketuar në mënyrë të veçantë, juristen e medies në ECPMF, aktivisten Flutura Kusari”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje AGK e ka cilësuar si rrezikim të sigurisë për Kusarin, teksa ka thënë se deklaratat kanë për qëllim heshtjen e zërave kritikues të shoqërisë civile.
Ndërkaq Basha në deklaratën e tij ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka dashur t’i kap mediat, duke akuzuar se pushtetet e kaluara e kanë bërë veprimin e tillë.
“Qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë”, ka akuzuar Basha Kusarin, raporton rtk.
Para këtij deklarimi, kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe juristja e medias, Flutura Kusari, sot përmes një konference për media, kanë bërë vërejtje në projektligjin për KPM-në. Ata kanë bërë thirrje ndaj Qeverisë për mosvotim të këtij projektligj që, sipas tyre, shkelë standardet e Këshillit të Evropës dhe kërkon që draftimi i tij të bëhet përmes një grupi të gjerë punues që përfshinë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe industrisë së medias.
Dje zyra e Bashkimit Evropian ka reaguar për mospërfillje të komenteve të tyre nga ana e komisioneve parlamentare për tri projektligje, në mesin e tyre edhe projektligji për KPM-në.