Maqedonci për vizitë në Kroaci: Miqësia jonë është e përjetshme
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se e ka vizituar sot Kroacinë me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiq.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se miqësia mes Kosovës dhe Kroacisë është e përjetshme sepse i ka themelet në historinë, vlerat dhe të ardhmen e përbashkët.
“Partneriteti dhe në veçanti bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë është në nivelin më të lartë”.
“Me Ministrin Anushiq shqyrtuam mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, diskutuam rreth situatës së sigurisë në regjion si dhe në nivel global. Ministrin Anushiq e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë-dimensionale nga Kroacia për Kosovën si dhe konfirmova vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”, ka shkruar Maqedonci.
Po ashtu, aty e ka nënshkruar marrëveshjen për shkollimin e kadetëve të FSK-së në Akademinë Ushtarake “Franjo Tugjman”.