Nuk mjekonin pacientët, por i drejtonin në privat, Koçiu: Shkarkohen të gjithë mjekët e përfshirë

Nuk mjekonin pacientët, por i drejtonin në privat, Koçiu: Shkarkohen të gjithë mjekët e përfshirë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka njoftuar se mjekët dhe punonjës të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nuk u ofronin shërbim shëndetësor të sëmurëve me kancer në QSUT, por i transferonin te klinika mjekësore private janë pushuar.

Ministrja shtoi se këta persona nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë ndërsa tha se do të ndëshkohen sipas ligjit.

“Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit  e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor”, tha ministrja.

Konkretisht, nën hetim janë: mjeku Edmond Gashi me masë sigurie “Arrest shtëpie”, Alketa Ymeri (Pere) mjeke me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Emiljano Lela – Koordinator pranë Spitalit Onkologjik me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshe ne QSUNT me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Drilona Kishta nën masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Halil Gashi.

Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. Prokuroria ka zbuluar se pacientëve që ishin të sëmurë me tumor këta mjekë nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi. /atsh/

Share This