PDK: Qeveria po harton ligje që bien ndesh me kushtetutën dhe MSA-në
Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar ekzekutivin se po shkel kushtetutën me Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Koordinatori për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda tha se këto dy Ligje janë në kundërshtim me kushtetutën.
“Ligji për Zyrtarët Publikë është miratuar në lexim të parë pa pasur asnjë ditë konsultim publik. Për PDK-në është e papranueshme që një ligj kaq i rëndësishëm të bëhet pa asnjë ditë të konsultimit publik. Për ne është e pabesueshme që qeveria po përsërit shkeljen e njëjtë të kushtetutës. Kosova nuk mundet ta hartojë një ligj i cili bie ndesh me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit pasi kështu shkel edhe kushtetutën”, deklaroi ai, raporton rtk.
Po ashtu ai tha se në emër të partisë po paraqet edhe shqetësimin në lidhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial.
Sërish po synohet që organi i akuzës të vihet nën kontroll duke rritur numrin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial në mënyrë që të dominohet nga politika. Për ne është e qartë, ideja është që të gjendet një rrugë nga pushteti që Këshilli Prokurorial të vihet nën kontroll nga pushteti”, theksoi Gruda.
Qeveria duhet të ndalë, sipas tij, veprimet me anë të cilave po shkelet kushtetua.
Ai tha se nëse këto dy ligje kalojnë në Kuvend, PDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.