Lajçak: Kurti tha se ishte i gatshëm ta pranojë draft-statutin e Asociacionit ashtu siç është
I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka potencuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte deklaruar i gatshëm ta pranojë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – i përpiluar nga BE-ja me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – ashtu siç është.
Në një intervistë për organizatën joqeveritare me seli në Kosovë, Sbunker, – intervistë kjo e cila pritet të publikohet e plotë më 25 qershor – diplomati sllovak kujton se reagimi i parë i Qeverisë së Kosovës për draft-statutin modern evropian ka “qenë konstruktiv”.
“Ata kanë dërguar komentet e tyre për tekstin. Ne morëm dy grupe komentesh, një nga Qeveria, një nga Presidenca. Për këtë kemi diskutuar më 26 tetor, ku kryeministri Kurti tha se është i gatshëm ta pranojë këtë dokument ashtu siç është, me kusht që të nënshkruhet nga Kosova dhe Serbia së bashku me marrëveshjet nga Ohri”, ka potencuar ai.
Më 21 tetor të vitit të kaluar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, iu dorëzua draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i përpiluar nga Bashkimi Evropian. Një javë më pas më 26 tetor në një takim me tre liderët kryesor të BE-së – Francës, Gjermanisë dhe Italisë, u kuptua që kryeministri e kishte pranuar këtë dokument me të cilin do të procedohej tutje.
Se draft-statuti modern evropian ishte pranuar nga Kosova e kishte thënë vetë Kurti në një seancë maratonik të Kuvendit të Kosovës më 3 nëntor të po këtij viti.
Në një ekspoze të gjatë shefi i ekzekutivit e kishte shpjeguar në detaje se si u bë që Kosova pranoi këtë dokument.
“Kur mu tha mua nga krerët evropian se situata është urgjente dhe shansi është unik, unë thash prisni pak. Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e Zbatimit unë e kam pranuar nëse dëshironi në paketë le ta bëjmë. Dhe unë e pranoj si pjesë të paketës”, thoshte Kurti asokohe.
Ai madje këtë draft-statut e cilësonte si “të mirë” dhe “pakrahasimisht më të avancuar” dhe garantonte se nuk është “Zajednica” e vitit 2013 e 2015.
“Dokumenti më dha përshtypjen e një iniciativë më serioze që nuk e kisha takuar më parë. Njëjtë për nga rëndësia më bëri përshtypje fakti që zyrtarë të lartë ishin marrë me tekstin e statutit. Më thanë se hartimin e kanë bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe më thanë se është në përputhje me Ligjet e Kosovës”, deklaronte Kurti.
Për Kurtin drafti evropian ishte shkruar me kujdes për “germën e Kushtetutës”.
“Kjo qartazi nuk është Zajednicë, Nga sa kam parë shkrimi është me kujdes për germën sesa për frymën e Kushtetutës. Gjatë bashkëbisedimit aty është theksuar nevoja e urgjencës gjeopolitike”, argumento ai.
Drafti modern evropian, shpjegonte Kurti, në vlerësimin e tij politik “ndërpriste trashëgimin e mos-njohjes” së Serbisë, që sipas tij “ishte çimentuar në marrëveshjet paraprake”.
“Në vlerësimin tim politik bëhet e qartë që mekanizimi që do të themelohet do të ketë karakter bashkëpunues. Nuk ndërhynë në kompetenca të askujt. E mbyll hapësirën e Serbisë që t’u projektojë të ardhme jashtë Kosovës. Drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa”.
7 muaj më pas, Kurti në mënyrë krejt kundërthënëse dhe absurde, në një intervistë për A2 CNN, tha se për Qeverinë e Kosovës ky draft-statut modern evropian nuk është asgjë tjetër përveç se një “non-paper”.
“Është një dokument punues që nuk ka as logo as vulë as nënshkrim, nuk mundemi ne një non-paper ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.
Ai madje shpjegoi se i kishte ofruar ndërkombëtare një rrugëdalje që në vlerësimin e tij “është më e logjikshmja dhe racionalja” në situatën ku ata insistojnë në draftin që tashmë e quan të “Lajçak-ut”.
“Dërgojeni në një instancë ndërkombëtare mund të jenë juristët eminentë të Këshillit të Evropës mund të jetë Komisioni i Venedikut, por jo në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, shtonte ai.
Me konstatimin se ky draft nuk është vendor, Kurti potencoi se në Gjykatë Kushtetuese “ne dërgojmë dokumente që janë vendore”.
“Një dokument ndërkombëtar le të shkoj le të testohet në një instancë ndërkombëtare”, përsëriti ai.