Gërvalla: Një BE më e fortë, përgjigje për sfidat e së ardhmes
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Luksemburg ka marrë pjesë në takimin e rregullt të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Gërvalla mes tjerash deklaroi se një Bashkim Evropian më i fortë, është një përgjigje më e mirë për sfidat e të sotmes dhe të së ardhmes, raporton rtk.
“Erdhëm sot në Luksemburg për të diskutuar integrimin e mëtejmë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe jo vetëm të Ballkanit Perëndimor. Besoj se kjo është tema kryesore. Duke e parë integrimin e gjithë Evropës, atyre shteteve që qëndrojnë pranë vlerave evropiane, mbështesin principet evropiane dhe nuk janë vetëm çështje politike, por janë për rritjen e sigurisë në Evropë në kohën kur po ballafaqohemi me agresionin rus në Ukrainë, dhe kur një Bashkim Evropian më i fuqishëm është një përgjigje më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave të sotme dhe atyre të së ardhmes”, tha ajo.