Ndeshja me Spanjën në EURO 2024, edhe Dyseldorfi ‘vishet’ kuqezi

Ndeshja me Spanjën në EURO 2024, edhe Dyseldorfi ‘vishet’ kuqezi

Shqipëria dhe Spanja do të përballen sot në orën 21:00 në stadiumin e Dyseldorfit, në ndeshjen e fundit të vlefshme për Grupin B të EURO 2024.

Pasi 50 mijë shqiptarë ndoqën sfidën mes Shqipërisë dhe Italisë në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit dhe mijëra të tjerë e ndoqën në ndeshjen ndaj Kroacisë në Hamburg, sot pritet që 35 mijë tifozë kuq e zi të jenë në shkallët e stadiumit.

Tifozët shqiptarë dhe ata spanjollë po festojnë së bashku në rrugët e Dyseldorfit dhe fan zonat që janë vendosur në Burgplatz dhe Schauspielhaus, ndërsa atmosfera është elektrizuese pavarësisht se skuadrat vijnë në këtë takim me objektiva të ndryshëm.

Për Shqipërinë kjo sfidë është si një finale, teksa një fitore do ta kualifikonte përtej fazës së grupeve, për herë të parë në histori. Ndërsa, Spanja vjen në këtë sfidë si e kualifikuar e para në grupin B me 6 pikë dhe pritet të zbresë në fushë me lojtarët rezervë.

Mijëra shqiptarë ndodhen në Dyseldorf duke e “pushtuar” me ngjyrat kuqezi qytetin perëndimor gjerman.

Mijëra tifozë të veshur kuqezi me ngjyrat e flamurit kombëtar ia kanë marrë valles me, daulle, veshje popullore dhe flamuj kuq e zi në rrugët e qytetit gjerman.

Njëjtë si në sfidën e parë ndaj Italisë në stadiumin e Dortmundit dhe sfidën ndaj Kroacisë në “Volksparkstadion” të Hamburgut edhe në sfidën e sotme dyert për tifozët do të hapen 3 orë para fillimit të ndeshjes.

Të gjithë tifozët që do të ndjekin ndeshjen nga stadiumi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara nga UEFA. Për të shmangur çdo lloj problem dhe penalizimi të gjithë tifozët duhet të shmangin ndezjen e flakadanëve gjatë ndeshjes, hedhjen e sendeve në fushë, transmetimin e mesazheve me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj) si edhe ndërprerjen e ndeshjes.

Ata që nuk kanë bileta, mund të shijojnë ndeshjen në Fan Zonat e ngritura nga UEFA.

Kjo është përballja e nëntë e Shqipërisë ndaj Spanjës. /atsh/

Share This