Deshi t’i korruptojë policinë me 20 euro, arrestohet shoferi
Policia e Kosovës nga rajoni i Gjakovës ka arrestuar të hënën një ngasës të automjetit, i cili ka tentuar t’i korruptojë policët e trafikut me 20 euro ryshfet.
“Zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, kanë ndalur një automjet, në një pikë kontrolli rutinë, në fshatin Rakovinë – Gjakovë. Gjatë procesit të lëshimit të një gjobe për një kundërvajtje, i dyshuari A. G., (shoferi i automjetit) në përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të zyrtarëve policorë, që të mos i shqiptonin gjobën, kishte hedhur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në makinën e patrullës. I dyshuari u shoqërua menjëherë në stacionin policor, si dhe kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë:, thuhet në njoftim.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, ndaj këtij shoferi është iniciuar rast “dhënia e ryshfetit”, ndërsa i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës. Ne vlerësojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e publikut, përderisa vazhdojmë të angazhohemi në drejtim të ruajtjes së rendi dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e policisë, raporton rtk.