Gjermania barazon në frymën e fundit ndaj Zvicrës
Gjermania ka shënuar gol në frymën e fundit të ndeshjes kundër Zvicrës, duke siguruar barazimin 1:1 në ndeshjen e fundit në Grupin A. Falë këtij barazimi gjermanët siguruan pozitën e parë në grup.
Zvicra ka qenë në epërsi deri në minutën e 90-të ndaj Gjermanisë nikoqire, por në fund është detyruar të pajtohet me një pikë. Ishin zviceranët ata që gjetën golin në një prej daljeve të rralla para portës së Neuer në pjesën e parë. Gjithçka nisi nga një aksion i mirë i Zvicrës, në minutën e 28-të, ku Rieder arriti të marrë topin në gjysmën e fushës së Gjermanisë dhe të kombinojë bukur me Ndoye. Ky i fundit bëri një pasim të zgjuar në të majtë të zonës për Freuler, i cili e ktheu topin me një krosim perfekt në afërsi të shtyllës së parë. Ndoye, me një shtrirje të shkëlqyer të këmbës, e dërgoi topin në rrjetën e portës së Neuer. Për Dan Ndoye ky ishte goli i tij i parë pas 14 paraqitjesh në fanellën e Kombëtares zvicerane.
Ndërkohë, gjermanët golin e barazimit e arritën në minutën e dytë të lojës shtesë, kur zëvendësuesi Niclas Fullkrug ka shënuar në kohën e fundit me një goditje me kokë. /rtk