Gjimshiti: Të gjithë çunat janë gati për sfidën me ‘Furinë e Kuqe’
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, në konferencën e sotme për media ka shprehur besimin dhe vendosmërinë e ekipit për ndeshjen vendimtare ndaj Spanjës që do të zhvillohet nesër.
Kjo ndeshje do të jetë thelbësore për fatin e kuqezinjve në Euro 2024, duke përcaktuar nëse Shqipëria do të kalojë grupin apo do të eliminohet.
Përballja me ‘Furinë e Kuqe’
Gjimshiti e pranon që Spanja është një ekip shumë i fortë, por thekson se të gjithë lojtarët shqiptarë janë të përgatitur për sfidën që i pret. “Është një ekip shumë i fortë, por të gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në grup dhe kemi mundësi ta kalojmë grupin dhe do bëjmë gjithçka mundemi që ta bezdisim Spanjën,” u shpreh ai.
Kur u pyet nëse fakti që Spanja pritet të luajë me formacionin e saj të dytë do të ndikojë në lojën e ekipit shqiptar, Gjimshiti ishte i qartë: “Nuk ndikon aspak sepse edhe formacioni i dytë i Spanjës ka të njëjtin nivel si formacioni i parë. E dimë kë kemi përballë, i njohim kundërshtarët. Nuk e mendojmë aspak që ata do luajnë me ekipin e dytë, por do e marrim sfidën po aq seriozisht siç do ishte po të luanin me ekipin e parë”.
Mungesa e Dakut
Lojtari theksoi se mungesa e Dakut për shkak të pezullimit nuk duhet të ndikojë te përqendrimi i ekipit. “Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje. Ne do të kemi kundërshtar të vështirë nesër dhe vetëm për këtë do të mendojmë”.
Gjasat për kualifikim
Përsa i përket kualifikimit, Gjimshiti tregoi optimizëm të matur: “Asgjë nuk është e pamundur në jetë, por sigurisht që është ndeshje e vështirë. Ne sigurisht që do të bëjmë maksimumin dhe do tentojmë që t’i shqetësojmë kundërshtarët”.
Gjoba e UEFA-së
Në fund, kur u pyet për gjobën e UEFA-së ndaj Shqipërisë për shkak të sjelljes së tifozëve, kapiteni u përqendrua në rëndësinë e ndeshjes së ardhshme: “Jam këtu për të folur për çështjen e kualifikimit, këto janë gjëra për të cilat përkujdeset UEFA. Arsyeja pse jemi këtu ka të bëjë me ndeshjen dhe për atë që do bëjmë nesër dhe do të bëjmë më të mirën”. /rtk