Clark: Shpresoj se do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me ShBA-në

Clark: Shpresoj se do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me ShBA-në

Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, është takuar sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku i është ndarë dekorata “Dr. Ibrahim Rugova”.

Clark ka folur për kohën kur udhëhoqi bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

Ai tha se një rol të jashtëzakonshëm e kishte luajtur LDK-ja dhe kryetari i saj, ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“Mendoj se suksesi i intervenimit të NATO-s në dallim me vendet tjera ku ka intervenuar është se në Kosovë funksiononte LDK-ja dhe presidenti Rugova”, tha Clark.

Ai gjithashtu u shpreh se impresionohet secilën herë që viziton Kosovën.

“Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me ShBA-në dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”, ka deklaruar Clark.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kjo dekoratë vlerëson mbështetjen e çmuar të Clarkut dhe ndikimin afatgjatë të përpjekjeve të tij në rrugën e kombit tonë drejt paqes dhe prosperitetit.

Share This