Clark pranon dekoratën “Ibrahim Rugova”, e ndarë nga Abdixhiku
Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark ka pranuar dekoratën ” Ibrahim Rugova”, të ndarë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku për rolin dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku duke falënderuar për kontributin e tij të dhënë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka theksuar se gjenerali Clark është pjesë e historisë së republikës së Kosovës.
“Zoti ju bekoftë juve dhe popullin e Amerikës”, ka theksuar Abdixhiku, derisa ia ndau dekoratën ‘Ibrahim Rugova”.
Abdixhiku ka thënë se se liria erdhi edhe nga ndihma e shteteve mike e në veçanti ShBA-së.
’Prania juaj sot këtu është një dëshmi e thellë e lidhjeve të qëndrueshme të miqësisë dhe solidaritetit që keni përfaqësuar përmes shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm dhe mbështetjes themelore për popullin e Kosovës. Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe’’, ka theksuar Abdixhiku.
Ndërkaq, gjenerali Clark ka theksuar se populli i Kosovës ka kaluar një periudhë të vështirë gjatë luftës së fundit.
“Faleminderit shumë Lidhja Demokratike e Kosovës, sa herë që kthehem këtu, befasohem me progresin që është bërë”, ka deklaruar gjenerali Clark.
Wesley Clark shërbeu si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë i NATO-s nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke komanduar Operacionin e Forcave Aleate gjatë luftës në Kosovë.
Ai kaloi 34 vjet në ushtrinë amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.