Hapet Pavijoni i Kosovës në Venecia

Hapet Pavijoni i Kosovës në Venecia

Mes miqsh dhe para botës, u hap dje Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia. Me këtë rast, komisionerja Hana Halilaj tha:

“Falemnderit që keni ardhur në inaugurimin e Pavijonit të Republikës së Kosovës në edicionin e 60-të të ekspozitës ndërkombëtare të artit i cili prezanton projektin Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës, një instalacion skulpturor nga artistja Doruntina Kastrati, i kuruar nga Erëmirë Krasniqi. Edicioni i gjashtë i përfaqësimit të Kosovës në La Biennale, i vendosur në oborrin e Museo Storico Navale, i spikatë hapësirat e punës dhe problemet që ato paraqesin në shoqëritë bashkëkohore, duke theksuar dinamikën e pushtetit, hierarkinë, çështjet e pëlqimit dhe përjashtimit. Kjo përpjekje nuk do të ishte e mundur pa kontributin e pakompromis dhe punën e palodhur të një ekipi dhe bashkëpunëtorësh të mrekullueshëm.”

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, në fjalën e saj hyrëse u shpreh: “Si ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali, më lejoni t’ju them se jam thellësisht e nderuar dhe krenare që ju mirëpres në këtë ambient të cilin e konsideroj kulmin e diplomacisë sonë kulturore, inaugurimin e pavijonit tonë ‘Heshtjet kumbuese të Metali dhe Lëkurës.’ Ky instalacion i jashtëzakonshëm skulpturor, i krijuar nga artistja Doruntina Kastrati dhe kuruar nga vizionarja Erëmirë Krasniqi, nxjerr në dritë pabarazitë dhe sfidat me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, ku puna e tyre është kapitali i vetëm social dhe ekonomik që e zotërojnë.”

“Brezi ynë po identifikon se çfarë është strukturore në pabarazitë që përjetoi brezi i grave para nesh, dhe përmes punës sonë po përpiqemi ta bëjmë këtë botë pak më të jetueshme dhe më të përshtatshme për to dhe veten tonë. Duke u nisur nga përvojat e grave që punojnë në fabrikë, historitë e tyre që vijnë nga periferia e lëkurës sonë kolektive, jehojnë dhe ndërhyjnë në narrativën më të gjerë të Kosovës së sotme. Rrëfimet e tyre në vetën e parë i sjellim në botimin që e ndajmë sot me ju” – është shprehur kuratorja Erëmirë Krasniqi.

“Tregimet na bashkojnë, historitë e patreguara na mbajnë larg. Ne jemi krijuar nga histori – ato që kanë ndodhur, ato që po ndodhin në këtë moment dhe ato që formohen thjeshtë në imagjinatën tonë përmes fjalëve, imazheve, ëndrrave, dhe një ndjenjë të pafund habie për botën përreth nesh dhe si funksionon ajo. ..Të mos jesh në gjendje të tregosh historinë tënde, të heshtësh dhe të mbyllesh, do të thotë të dehumanizosh” me këtë citat nga shkimtarja Elif Shafak ka filluar fjalën e saj të hapjes artistja Doruntina Kastrati e cila vazhdoi: “Jam e lumtur që jam këtu sot dhe ndajë pjesë të një historie që është gjithmonë e pranishme në përvojën tonë lokale dhe globale, duke filluar nga nëna ime Fitnete, ish-koleget e saj Shaije dhe Mimoza, dhe shumë zëra të tjerë nga margjina, të paarritshëm, të padëgjuar”- ka thënë ajo.

Me këtë rast u promovua dhe u shpërnda edhe një botim i bazuar në hulumtim, ku prezentohen tri histori gojore me ish-punonjëset e fabrikës së llokumeve. Intervista, që artistja Kastrati ka realizuar me nënën e saj, Fitnete Veselaj Kastratin është pikënisje e këtij botimi. Artistja dhe nëna e saj, së bashku kujtojnë kohën kur ajo punonte në fabrikë. Intervistat kanë një strukturë biografike, duke reflektuar mbi mënyrën se si gratë menaxhuan përgjegjësitë dhe presionet në vendin e punës, si dhe marrëdhëniet e tyre si bashkëshorte dhe nëna, dhe se si kjo ka ndikuar në vetëvlerësimin e tyre. Intervistat shoqërohen me dokumentim fotografik nga Majlinda Hoxha. Publikimi është redaktuar nga Erëmirë Krasniqi dhe dizajnuar nga Nita Salihu Hoxha—Studio Permanent.

Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024

Share This