“Po na nënvlerësojnë”, Buffon: Te kjo Itali shoh shumë përulësi dhe punë
Janë padyshim favoritët në letër, mirëpo ditët e fundit ne media dhe nga tifozët po nënvlerësohen goxha.
“Të Kaltërit” e Italisë do të nisin mbrëmjen e së shtunës, në “Signal Iduna Park” misionin e mbrojtjes së titullit kampion, ku përballë do të kenë “Kuqezinjtë” tanë, të cilën në asnjë moment nuk i druhen skuadrës së Luciano Spalletti.
Mirëpo, për shefin e delegacionit të Kombëtares italiane, Gianluigi Buffon, duket se “Të Kaltërit” e tij, nuk po “respektohen” aq sa duhet, teksa vetëm dy ditë përpara kësaj sfide është shprehur se përfaqësuesja e tij bëhet gjithmonë “e frikshme” në fushën e blertë, sidomos në të tilla sfida tejet delikate e të rëndësishme.
“Adrenalina po rritet me kalimin e ditëve, njësoj si përqendrimi. Aq tepër i nevojshëm përpara ndeshjes me Shqipërinë. Unë mendoj se ne po nënvlerësohemi. Djemtë kanë një qëndrim të shkëlqyer, ndjenja e përkatësisë nuk mungon gjithashtu. Te kjo Itali ka shumë përulësi dhe punë. Mos të harrojmë që kemi edhe 4, 5 apo 6 futbollistë të mëdhenj në përbërje”, u shpreh legjenda e portës italiane. /abc/