Shaqiri i përgjigjet Yakinit pasi tha se “s’mund të luajë dy ndeshje për katër ditë”
Futbollisti shqiptar Xherdan Shaqiri ka thënë se është i gatshëm të japë gjithçka për Zvicrën, pavarësisht rolit që do të ketë në Evropian, duke iu kundërpërgjigjur trajnerit Murak Yakin.
Yakin ka thënë se Shaqiri nuk mund të luajë dy ndeshje të plota për katër ditë.
Në konferencën për shtyp të enjten, lojtari i Chicago Fire u shpreh se është gati ta ndihmojë skuadrën qoftë në fushë, qoftë nga banka rezervë.
“Me të vërtetë e ka thënë këtë? Atëherë po i përgjigjem: Jam këtu me kombëtaren sepse dua ta ndihmoj ekipin dhe të luaj sa më shumë. Nuk ka marrëveshje për rolin tim të saktë. Trajneri dhe unë kemi biseda transparente. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse luaj nga banka rezervë, jam gati të ndihmoj skuadrën. Jam këtu për të ndihmuar edhe të rinjtë ta përballojnë presionin. Nuk ka rëndësi se sa kohë jeni në fushë – në fanellën e ekipit kombëtar ju gjithmonë jepni gjithçka nga vetja. Nuk jam në Kampionatin Evropian për pushime”, ka thënë 32-vjeçari.
Zvicra e nis të shtunën aventurën e Evropianit kundër Hungarisë. Në grup ka edhe nikoqiren Gjermaninë e Skocinë.
Shaqiri dhe Granit Xhaka do të luajnë për herë të shtatë në turnetë madhorë të kombëtareve. Pjesë e Zvicrës është edhe Ardon Jashari.