Maratonisti Gashi siguron kualifikimin në botërorin e maratonës
Maratonisti Skënder Gashi, ka arritur standardin kualifikues të Kampionatit Botëror prej 3:40:00h për grupmoshën 70-74 vjeç, dhe në këtë mënyrë ka siguruar kualifikimin për Kampionatin Botëror të Maratonës 2025, të Abbott World Marathon Majors – AbbotWMM.
Ai pranoi urimet nga AbbotWMM që përfshin garat kryesore të maratonave botërore, për rezultatin e arritur në maratonën e Gjenevës që ia mundësoi atij kualifikimin.
“Koha juaj e përfundimit prej 3:38:17 ka arritur standardin kualifikues të Kampionatit Botëror prej 3:40:00 për grupmoshën M70-74, dhe ju jeni kualifikuar për Kampionatin Botëror të Grupmoshave të Maratonës 2025 AbbottWMM”, thuhet në emailin zyrtar.
Me kohën e arritur maratonisti i cili me profesion është gjinekolog, tani renditet në një pozitë të lartë në ranglistën botërore, në vendin e 45 në botë, i pari në këtë pozitë ndër maratonistët kosovarë si dhe atyre në rajon e më gjerë.
Maratonisti Gashi me rezultatin e arritur thotë se ka siguruar pjesëmarrjen në 6 maratona më të mëdha botërore.
“Me këtë do të mund të vrapoj në Berlin, në Çikago, Nju Jork, Tokio, Boston edhe Londër. Këto janë 6 qytetet ku mbahen këto gjashtë maratona Major që i thonë, përkatësisht të mëdha, edhe këtu nuk mundet çdokush të vrapojë”, tha Gashi.
Por, për të vazhduar me suksese ndërkombëtare dhe për të forcuar pozicionin e tij, ai për Radio Kosova ka deklaruar se ka nevojë edhe për përkrahje, pasi siç thotë ai, pjesëmarrja në një maratonë ndërkombëtare kushton dhe shpesh është e papërballueshme për të.
Gashi gjatë karrierës së tij ka arritur rezultate mbresëlënëse. Në grupmoshën e tij ka fituar garat e maratonës në Stamboll, Antalja, Split, si dhe së fundi, në fund të majit ka dalë i treti në maratonën e Stokholmit.
Ai thotë se garat e radhës ku do të marrë pjesë, janë maratona e Brukselit me 29 shtator si dhe ai i Bukureshtit më 13 tetor të këtij viti. /rtk/