Finale dramatike, Barça kampione
Barcelona i ka mbijetuar gjuajtjes së fundit të ikonës Mikkel Hansen dhe ka fituar Ligën e Kampionëve në hendboll.
Barça ka fituar Champions-in për herë të 12-të. Në Koln, në praninë e 20 mijë shikuesve dhe në atmosferë fantastike, Barça në finale e mposhti Aalborgun e Danimarkës me rezultatin e ngushtë, 31:30.
Ndeshja ishte shumë e fortë dhe shumë dramatike. Asnjëra skuadër nuk ka mundur të shkëput në rezultat. Barça në dhjetë minutat e fundit kishte në disa raste epërsi prej dy golash, por danezët nuk janë zmbrapsur.
Në minutën e fundit, Niklas Landin ndali gjuajtjen e Timothey N’guessanit të Barçës. Aalborgu i kishte 20 sekonda për aksion, por mbrojtja e Barçës ishte në nivelin e duhur. Krejt në fund, legjenda Hansen e kishte goditjen përfundimtare. Topi kaloi murin e gjallë, por përfundoi në transversale. Kështu fitorja dhe festa e madhe i takuan Barcelonës.
Melvyn Richardson i shënoi tetë gola për Barcelonën. Shtatë i kishte Dika Mem e gjashtë N’guessan. Emil Nielsen ndihmoi me tetë pritje.
Tek Aalborgu u dalluan Niklas Landin me 12 pritje. Hansen i realizoi tetë gola, ndërsa nga gjashtë i kishin Thomas Arnoldsen e Mads Hoxer Hangaard.
Me 12 tituj në Ligën e Kampionëve, Barcelona është dukshëm skuadra më e suksesshme evropiane. Gummersbachu gjerman është i dyti në listë me pesë tituj.
Barça titullin e kaluar e kishte fituar në vitin 2022, ndërsa vjet kampion ishte Magdeburgu gjerman. Aalborgu nuk ka titull evropian. Ka humbur në finale për herë të dytë. /fhk/