Ermal Krasniqi zgjedh gjigantin çek

Ermal Krasniqi zgjedh gjigantin çek

Ermal Krasniqi do të largohet nga Rapid Bukureshti gjatë afatit kalimtar të verës.

Klubi rumun e ka pranuar ofertën e Sparta Pragës për shitjen e yllit kosovar, raporton mediumi rumun “sport.ro”, përcjell “Express”.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, Rapidi do të fitojë shumë financiarisht nga shitja e kartonit të futbollistit, të cilin e kishte blerë për 1 milion euro nga CFR Cluj në fillim të vitit 2024.

Sipas “sport.ro”, Rapidi do t’i përfitojë 2 milionë euro nga shitja e përfaqësuesit kosovar, një milion më shumë se shuma e paguar për të.

Madje, shuma e transferimit të Krasniqit mund të rritet për 300 mijë euro në varësi të bonuseve të caktuara, shkruan tutje mediumi rumun, i cili e bën të ditur faktin se Rapidi do ta mbajë po ashtu një përqindje të transferimit të ardhshëm të ish-futbollistit të Ballkanit.

Ermal Krasniqi i ka zhvilluar 34 ndeshje në të gjitha garat në sezonin 2023/24 te Rapidi dhe CFR Cluj, gjatë të cilave ka shënuar gjashtë herë dhe ka asistuar në pesë ndeshje.

Uebfaqja e specializuar për vlerësimin e lojtarëve, “Transfermarkt” e vlerëson lojtarin kosovar 1.6 milionë euro.

Share This