Sonte Norvegji-Kosovë, Dardanët synojnë fitore
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte në Oslo, do të përballet me Norvegjinë.
Norvegjezët dhe Dardanët do të ballafaqohen në një ndeshje miqësore, sfidë kjo që pritet të sjellë ndeshje interesante.
Kombëtarja e Kosovës, mbrëmë ka zhvilluar stërvitjen e fundit para duelit me Norvegjinë.
Atmosfera në taborin e Kombëtares sonë, është mjaft e mirë dhe premtuese për paraqitje dinjitoze në duel me Norvegjinë e Erling Haaland-it.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda e ka bërë të qartë së në duel me norvegjezët kërkon fitore.
Ai është i bindur se të besuarit e tij, do të bëjnë paraqitje të mirë në duelin e sotëm që luhet në Oslo.
Foda nënvizoi se i tërë ekipi është gati përpos lojtarëve që s’janë ftuar shkaku i mungesave dhe do të tentojnë të luajnë një lojë mjaftë ofansive me topa të shpejtë.
“Të gjithë futbollistët janë mirë. Ne duam që të zhvillojmë futboll sa më të shpejtë dhe dinamik që është e mundur, me pasime direkte kur jemi duke ndërtuar lojën. Këto mënyra kanë funksionuar mirë kundër Armenisë dhe Hungarisë”, ka thënë Foda.
“Duam të provojmë që të tregojmë se mund të luajmë në presion të lartë dhe ta fitojmë topin sa më lartë që është e mundur. Do të jetë e vështirë, por do të provojmë të bëjmë sa më mirë si ekip sidomos në anën defansive kundër një ekipi që ka lojtarë si Haaland, Odegaard e Bob. Normalisht që dëshirojmë të fitojmë por për mua është e rëndësishme si luajmë dhe implikojmë në fushë atë që kemi bërë në stërvitje dhe si ti transferojmë ato informacione që iu kam dhënë lojtarëve në stërvitje”, ka theksuar Foda.
Ndeshja Norvegji-Kosovë fillon në orën 19:00. /rtk/