Dardanët mbajnë stërvitjen e fundit, udhëtojnë për në Oslo
Kombëtarja e Kosovës në futboll, të hënën paradite e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para udhëtimit në Oslo, ku të mërkurën do të luajë miqësoren me Norvegjinë.
Norvegjia dhe Kosova do të përballen më 5 qershor në Oslo, në një ndeshje miqësore e cila pritet të sjellë një sfidë interesante.
Edhe në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, derisa për shkak të një shqetësimi të vogël muskular, Elbasan Rashani ka stërvitur i diferencuar nga grupi.
Në seancën e sotme e cila nuk ka qenë aq e ngarkuar për shkak të udhëtimit, krahas ushtrimeve fizike dhe lojës me top, Foda një pjesë të konsiderueshme ia ka kushtuar skemave të ndryshme të lojës, me të cilat synon t’i kundërvihet suksesshëm Norvegjisë.