Spalletti në telashe, pas Acerbit, ndalet edhe mbrojtësi i Atalantës
Europiani po afron, por Italia vijon të humbë pjesë. Pas Francesco Acerbit, edhe mbrojtësi i Atalantës, Giorgio Scalvini “ka ngritur flamurin e bardhë”.
Futbollisti ka pësuar një këputje të ligamentit të gjurit dhe ndonëse pritet ende t’i nënshtrohet rezonancës magnetike, tashmë është e sigurt mungesa e tij në Gjermani.
Nëse konfirmohet dëmtimi i rëndë, atëherë Scalvini do të duhet t’i nënshtrohet operacionit dhe të qëndrojë larg fushave deri në fillim të vitit të ardhshëm. Por edhe nëse më e keqja është shmangur, mbrojtësi nuk do të mund të udhëtojë drejt Gjermanisë.
Media italiane bën me dije se Spalletti pritet të thërrasë mbrojtësin e Juventusit, Gatti për t’u bashkuar në grumbullim, pasi ka humbur tashmë dy mesfushorë me mjaft peshë.
Scalvini u dëmtua në ndeshjen mes Atalantës dhe Fiorentinës, e fundit e sezonit 2023-2024 në Serinë A dhe u largua me ndihmën e stafit mjekësor. Ky dëmtim komplikon edhe të ardhmen e tij, pasi shumë klube kishin kërkuar informacion te Atalanta për blerjen e kartonit të Scalvinit. /SS/