“Zonja e Vjetër” kërkon ta joshë francezin me shiritin e kapitenit
Juventusi nuk dëshiron të humbasë Adrien Rabiot, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij muaji dhe po i bën presion mesfushorit 29-vjeçar francez që të rinovojë kontratën.
Këtë të diel, “Gazzetta dello Sport” raporton për atë që është në tryezë: “Zonja e Vjetër” po i ofron francezit kontratë të vlefshme për dy sezone, me opsion një sezon të tretë, që aktivizohet automatikisht bazuar në objektiva të caktuara.
Juvja po përpiqet gjithashtu ta joshë Rabiot me ngritjen në hierarkinë më të lartë të skuadrës, pra në pozicionin e kapitenit, duke zëvendësuar Danilon.
Kur bëhet fjalë për pjesën financiare, duket se joshja ka më pak forcë. Juventusi nuk dëshiron ta paguajë me shumë nga 9 milionë euro të pastra (midis të ardhurave fikse dhe bonuseve) në vit, shumë që e fiton aktualisht.
Një problem tjetër në këtë proces mund të jetë vetë nëna e Rabiot, Veronique Rabiot, e njohur si “zonja e hekurt” gjatë kohës së tij në PSG.
Rabiot ishte lojtari më i paguar në skuadër këtë sezon, me 9 milionë, por thuhet se golashënuesi Vlahovic do të fitojë 10.5 milionë euro sezonin e ardhshëm dhe se nëna e Rabiot nuk do të pranojë që dikush tjetër në skuadër të fitojë më shumë se djali i saj. /SS/