Ancelotti i ngazëllyer me trofeun e Champions-it, flet edhe për Kroos-in
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti është shprehur tejet i lumtur me trofeun e Ligës së Kampionëve.
‘Los Blancos’ të shtunën mposhtën Borussia Dortmundin, me rezultat 2-0, duke fituar për të 15-të herë trofeun e elitës së futbollit evropian.
Strategu italian, i cili është arkitekt i këtij Reali të famshëm, pas ndeshjes tha se fitorja ndaj Dortmundit ishte më e vështirë se që e kishte menduar.
“Ishte shumë më e vështirë se që kemi menduar. Në pjesën e dytë ishim më të mirë, më pak topa të humbur. Kjo është një ëndërr që vazhdon”, ka thënë Ancelotti.
Tekniku italian ka folur edhe për Toni Kroos, i cili mbrëmë luajti ndeshjen e fundit në fanellën e Real Madridit.
“Ai dëshironte që ta mbyllte kështu. E mbylli dhe tani duhet respektuar vendimin”, ka theksuar Ancelotti.
Gjermani pak ditë më parë ka njoftuar se pas EURO 2024 do ta mbyll karrierën si futbollist aktiv.