Behar Maliqi i jep fund karrierës aktive si futbollist: Kam përjetuar momente të paharrueshme
Behar Maliqi tashmë e ka fituar epitetin e një legjende të futbollit kosovar.
Maliqi përmes rrjeteve sociale ka konfirmuar largimin nga futbolli aktiv.
Ai do të jetë i pranishëm në ndeshjen e nesërme midis Feronikelit 74 dhe Prishtinës së Re, finale e barazhit për futje në Superligën e Kosovës.
Për Maliqin kjo do të jetë ndeshja e fundit edhe pse nuk mund të luaj për shkak të lëndimit që e ka tash e disa muaj.
“Gjatë kësaj periudhe si lojtar aktiv, kam fituar shumë. Kam përjetuar momente të paharrueshme, kam krijuar miqësi të shumta dhe kujtime që do t’i mbaj mend gjithmonë. Veshja e fanellës së përfaqësueses së Kosovës, ishte një ndër arritjet më të mëdha, ishte nder dhe privilegj që të përfaqësoje vendin tim”, shkruhet në njoftimin e Behar Maliqit
37-vjeçari luajti me skuadrat e njohura në futbollin shqiptar, si: Prishtina, Partizani, Feronikeli, Llapi dhe Malisheva.