Vajzat Dardane: Ndjenjë e veçantë të luash për Kosovën
Vajzat e Kombëtares së Kosovës ndihen krenare që përfaqësojnë fanellën dardane dhe janë të gatshme për përballjen ndaj Kroacisë.
Kapitenja Erëleta Mehmeti si dhe futbollistet Elizabeta Bujupi, Feride Kastrati dhe Egzona Zeka, kanë folur në emisionin e gazetares Qëndresa Krelani ‘Sport Elite’.
Futbollistja Bujupi ka thënë se brenda kampit gjithmonë gjërat janë pozitive, ndërsa ka kërkuar përkrahje nga tifozët që t’i mbështesin për përballjen me Kroacinë.
“Jemi të gjithë pozitiv brenda kampit dhe kështu duhet, që ta vazhdojmë sa më mirë. Si është atmosfera jashtë? Atje luajmë tërë vitin, por kur vijmë këtu na vjen mirë. Është gjë e veçantë”.
“Po duam të bëjmë sa më mirë për vetën, por edhe për gjeneratat që ta rrisim sa më shumë futbollin e vajzave në Kosovë.
“Kemi pasur shanse që të luajmë edhe për vende tjera, por të luash për shtetin tjetër është diçka tjetër. Ke dëshirë që të bësh diçka të madhe, që në Kosovë të ngritët investimi si në Angli shembull, që investojnë jashtëzakonisht shumë”.
“Çfarë rituali bëni para lojës? Kam qejf me u zgju, me e shikuar diellin. Kam qejf qetësi, pa njerëz. Ta pres lojën, dua paqe. Pastaj muzikë që të bëhem gati për lojën sepse më sjellë energji prej lojës. E shoh vetën në pasqyre dhe them “Ti je ajo, hajde”.
“Përballja ndaj Kroacisë? Duam t’i bëjmë krenar për njerëzit e Kosovës, me shpresën që mund të vijnë në fushë sepse nëse vijnë atëherë na e rrisin motivimin. Si ekip duhet më dhënë 100 për qind”, deklaroi ajo.
Kurse, futbollistja më e mirë e vitit të kaluar në Kosovë, Feride Kastrati për “RTK” u shpreh se gjithmonë vajzat e japin maksimumin në fushë dhe gjithnjë synimi i vetëm është fitorja.
“Secila vajzë e do fitoren sidomos kur jemi pjesë e kombëtares. Secila e jep maksimumin në fushë që të dalim sa më mirë dhe ta marrim fitoren. E dimë që Kroacia dhe ekipet e tjera janë në nivel shumë më të lartë, por ne futemi për fitore dhe nuk shikojmë mbrapa”.
“Kemi lojtare shumë të mira teknikish, punën mundojmë ta bëjmë sa më mirë, por vërehet kualiteti brenda skuadrën.
“Rituali para lojës? Qetësi, duam vetëm qetësi që të fokusohemi të ndeshja në mënyrë që të japim në fushë”.
“Përballja me Kroacinë? Ka më qenë shumë e rëndësishme, që të nxjerrim rezultat pozitiv sepse nëse ia dalim atëherë kemi shpresë që të mbesim në Ligën B. Secila ka më dhënë më të mirën dhe pse jo të marrim fitore”.
Kërkesë drejt tifozëve kishte edhe futbollistja Egzona Zeka, që tha se mund t’i motivojnë për të fituar pikë ndaj kroateve.
“Është ëndërr për secilën futbolliste, qysh nga mosha 16-vjeçare kam përfaqësuar dhe tani në ekipin A. Për mua është kënaqësi, privilegj dhe përgjegjësi e madhe”.
“Si nervozohesh? Kur nuk shkon ndeshja siç duhet, ose ndonjë pasim që pastaj ndoshta edhe e pësojmë golin. Ndonjëherë edhe vendimet e referave”.
“Pikët e këtyre ndeshjeve mund të na sigurojnë një vend në play-offin e Evropianit dhe jemi duke punuar shumë që të arrijmë të fitojmë pikë në këto ndeshje”.
“Na duhet përkrahja e tifozëve, pra një lojtar i 12-të në fushë sepse jemi në Ligën B. Do të jetë shtysë dhe pse jo të dalim me pikë në atë ndeshje”.
Kurse, kapitenja Erëleta Mehmeti nënvizoi se nuk kanë çfarë të humbin andaj duan vetëm fitore ndaj Kroacisë.
“Si kapitene e ke një peshë më të madhe në krahë. Jam lojtare si secila brenda skuadrës dhe loja nuk fitohet vetë, por me ekip. Mund të jap energji dhe motivim, por vetëm së bashku mund ta fitojmë lojën”.
“Përballja me Kroacinë? Jemi mbledhë në këtë grumbullim, i kemi dy ndeshje dhe e dimë që është në nivel pak më të lartë se na, po ne nuk kemi çfarë të humbim. Ndoshta na nënvlerësojnë, por duhet me treguar se mund të jemi një ekip i mirë”.
“A të mungon Kosova kur jeni jashtë? Shumë, kur s’luaja për Kosovën vija rrallë. Prej kur vij në kombëtare, atëherë jam afruar edhe më shumë edhe me familjen. Pra nuk ma ka dhënë vetëm në anën e futbollit, por edhe në kulturën tonë”.