Ermal Krasniqi: Ndjenjë e veçantë sa herë që ftohem nga Kosova

Ermal Krasniqi: Ndjenjë e veçantë sa herë që ftohem nga Kosova

Sulmuesi kosovar i Rapidit të Bukureshtit, Ermal Krasniqi është rikthyer në Kombëtaren e Kosovës.

Kosova më 5 qershor do të luajë në Oslo miqësoren kundër Norvegjisë.

Dardanët sot kanë mbajtur stërvitjen e parë para duelit me norvegjezët.

Krasniqi, i cili ka bërë një sezon të madh në Rumaninë me Rapidin, ka thënë se gjithnjë është ndjenjë e veçantë kur ftohesh nga Kosova.

Sipas tij, miqësorja me Norvegjinë është një test i vështirë, por sipas Krasniqit, Kosova duhet të mësohet të luajë kundër skuadrave të forta.

“Rikthehem në kombëtare dhe çdo herë është ndjenjë e veçantë sa herë që ftohem nga Kosova. Kjo ishte stërvitja e parë për mua me trajnerin e ri dhe më ka pëlqyer shumë puna e tij dhe do të jap gjithmonë më të mirën nga vetja”, ka thënë Krasniqi.

“Miqësorja kundër Norvegjisë është një test shumë i vështirë por ne kemi skuadër shumë të mirë dhe duhet të mësohemi të luajmë kundër ekipeve të forta, pasi në kualifikime do të takohemi me skuadra të tilla”, ka theksuar Krasniqi.

Kosova nesër zhvillon dy seanca stërvitore, e para në orën 10:30 dhe ajo e pasdites në orën 17:00.

Share This