Allegri kërkon 14 milionë euro për të mos çuar në gjyq Juventusin
Pas shkarkimit pas finales së Kupës së Italisë, Juventus dhe Massimiliano Allegri vazhdojnë të komunikojnë për të mos përfunduar në gjykatë.
Trajneri toskan, i cili ditët e fundit kishte hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij nga klubi i Juventusit me një letër, u ka paraqitur një propozim drejtuesve të “zonjës së vjetër” për ta mbyllur këtë çështje me një zgjidhje.
Ish-trajneri i Cagliarit dhe Milanit ka kërkuar 14 milionë euro bruto për të dhe stafin e tij krahasuar me 20 milionët e parashikuara nga kontrata e hartuar në maj 2021 me ish-presidentin Andrea Agnelli. Refuzimi nga Juventusi është i sigurt, pasi synojnë të ulin shifrën.
Ndërkohë, Allegri i gatshëm për të gjetur një marrëveshje për të qenë i lirë për të nisur një aventurë të re në stol, po reflekton për ofertën që ka marrë nga Arabia Saudite.
E duan kampionët e freskët Al-Hilal, të cilët e kanë vënë në “pole position” për stolin pas fitores së kampionatit. /rtsh/