FBK prezanton logon e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier

FBK prezanton logon e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier

Federata e Basketbollit e Kosovës ju prezanton me identitetin e FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier që do të mbahet në Prishtinë më 08/09 qershor!

“Duke u thirrur në veçantinë dhe historinë e vendit tonë, identiteti i FIBA 3×3 Europe Cup Qualifier është krijuar duke u frymëzuar nga horizonti i kryeqytetit, ku edhe do të mbahet gara”, thuhet në njoftimin FBK-së.

Sipas këtij njoftimi, përshkrimi i horizontit të Prishtinës për Kualifikimet e Kupës Evropiane në disiplinën 3×3 përfshin tri elemente të dallueshme që përfaqësojnë qytetin.

“Në ballë është Pallati i Rinisë dhe Sporteve, i cili shërben si vend qendror për aktivitetet sportive në të kaluarën dhe të tashmen. Tutje, janë përfshi objektet e Bibliotekës Kombëtare dhe Radio Televizionit si objekte identifikuese të kryeqytetit. Ilustrimi është plotësuar me siluetat e lojtarëve (femra/meshkuj) të cilët krijojnë lëvizje që shkrihen në horizont duke përcjellur sinergjinë dhe dinamikën që basketbolli përçon. Ndërkaq, paleta e zgjedhur e ngjyrave përmban nuanca të gjalla të portokallisë dhe vjollcës. Ku portokallia simbolizon motivim, pozitivitet dhe entuziazëm; dhe e vjollca simbolizon fuqi, krenari dhe kreativitet”, theksohet në njoftimin e FBK-së.

Federata e Basketbollit të Kosovës është nikoqire e 5 garave bashkë me FIBA dhe FIBA 3×3 që po vijnë në Kosovë për ta elektrizuar kryeqytetin dhe për të ofruar emocione të papara për publikun tonë. /rtk/

Share This