S’ndalet Man City, shënon fitoren e tretë radhazi
Kampioni në fuqi i Anglisë, Manchester City ka arritur edhe fitoren e tretë radhazi në këtë edicion të garave.
“Qytetarët” mposhtën në udhëtim te Sheffield United, me rezultat 1-2, të dielën në kuadër të xhiros së tretë në Premierligë.
Të përzgjedhurit e Pep Guardiolës edhe në duel me Sheffield United u shfaqen ekip shumë i mirë, duke e dominuar këtë sfidë interesante.
Rastin më të artë padyshim e kishte Erling Haaland, i cili dështoi të shënonte nga pika e bardhë duke goditur shtyllën (37’).
Sidoqoftë, norvegjezi pastaj e përmirësoi gabimin duke kaluar Man Cityn në epërsi pas një asistimi fantastik të Jack Grealishit (53’).
Haaland shënoi sërish tetë minuta më vonë por që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Skuadra nikoqire u rikthye në lojë me golin e Jayden Bogle (85’).
Por, tre minuta më vonë Rodri (88’), me një gjuajtje fantastike vulosi fitoren e Cityt.
Pas kësaj fitore, City kryeson tabelën e Premier League-s me nëntë pikë derisa Sheffield Untied renditet në pozitën e 17-të pa pikë.