Leao drejt Arabisë, Al-Hilal gati të paguajë klauzolën 175 milionë euro
Para, para, para. Shumë para.
Plot 175 milionë euro, pra klauzola e lirimit të përfshirë në kontratën mes Leaos dhe Milanit.
Arabët e Al-Hilal janë të gatshëm të shkojnë deri në këtë shumë për të rrëmbyer sulmuesin portugez nga kuqezinjtë.
Lajmi i bujshëm vjen nga gazeta sportive portugeze ‘O Jogo’ e cila në faqen e saj të parë flet për një ofertë të mbërritur në Casa Milan e cila është ekonomikisht e parefuzueshme, duke theksuar se, duke qenë se ka të bëjë me pagesën e klauzolës, mbetet që të kuptohet se cili mund të jetë vullneti i vetë lojtarit.
Sipas asaj që shkruan O’Jogo, klubi arab synon të fitojë Kupën e Botës për Klube, kompeticion në të cilin do të marrë pjesë në verën e vitit 2025 dhe për këtë arsye do t’i kishte vënë sytë talentit portugez, gati për të trefishuar pagën aktuale prej shtatë milionësh që Leao merr te Milani.
Këtë sezon Al-Hilal, një skuadër që tashmë ka në organikë Koulibaly, Milinkovic-Savic dhe Neymar, u shpall kampione e Arabisë pasi dominoi kampionatin. Lojtarët stërviten nga një tjetër portugez, Jorge Jesus. /rtsh