Franco Foda e fton Mustafë Abdullahun për ndeshjen ndaj Norvegjisë
Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda e ka ftuar portierin e Tiranës Mustafë Abdullahun për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë, kështu merr vesh Gazeta Nacionale me burime.
Abdullahu shkëlqeu këtë sezon te Tirana në paraqitjet që bëri, si dhe ishte mahnitës edhe te Kosova U21 në përballjen me Gjermaninë, andaj puna e madhe iu shpërblye.
Nacionale me burime mëson se Abdullahu tashmë është ftuar nga përzgjedhësi gjerman për miqësoren që Kosova e zhvillon ndaj Norvegjisë më 5 qershor.
Foda mesa duket tani e vlerëson Abdullahun si portieri i dytë ose i tretë, duke i bërë me dije se është në planet afatgjatë.
Zgjodhi Kosovën para Shqipërisë, pavarësisht që “iu premtua Evropiani”
Menaxheri i ‘gardianit’ Qazim Pollomi muaj më parë shpjegoi si Shqipëria i kishte premtuar Abdullahut se do ta merrte në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, megjithatë ai e zgjodhi fanellën ‘dardane’.
“Pasi vendosëm për Kosovën, ka marrë ftesë edhe nga Kombëtarja A e Shqipërisë, iu është premtuar që do ta marrin edhe në Kampionatin Evropian, por prapë nuk ka dashur të shkonte”, deklaroi më parë Pollomi.
Përndryshe, FFK është duke punuar që të aranzhojë edhe një tjetër miqësore në muajin qershor përpos Norvegjisë, kësisoj Foda do të përgatisë një listë më të mirë në muajin shtator, kur të nisë Liga e Kombeve.
Nën urdhrat e teknikut gjerman, Kosova regjistroi një fitore ndaj Armenisë por pastaj pësoi humbje te Hungaria, pavarësisht që zhvilloi një paraqitje më të mirë se hungarezët.