“Paris 2024”, Atletët medalistë bëhen të pasur
Vjen një pikë kthese historike në sportin e atletikës.
Federata Botërore e Atletikës ka njoftuar se fituesit e medaljeve të arta në Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të fitojnë 50,000 dollarë. Ajo do të jetë federata e parë ndërkombëtare që do të japë çmime në vlera monetare për sportistët.
Nisma përfshin edhe garën e stafetës në të gjitha disiplinat, por vetëm në një nivel të përgjithshëm, skuadre dhe jo për secilin fitues individual.
Duke filluar nga Lojërat Olimpike të “Los Angeles 2028”, iniciativa do të shtrihet edhe për medaljet e argjendta dhe të bronzit.
President i Atletikës Botërore Sebastian Coe, nënvizoi rëndësinë e kësaj nisme.
“Përfshirja e shpërblimit monetar për fituesit e medaljeve të arta olimpike është një moment kyç për atletikën dhe sportin botëror në tërësi. Ne nënvizojmë angazhimin tonë për t’i dhënë një stimul atletëve dhe njohim rolin themelor që ata luajnë në suksesin e Lojërave Olimpike”.
Për të paguar fituesit e medaljeve të arata për secilin fitues të 48 disiplinave të garave të atletikës, Federata Botërore e Atletikës do të shpenzojë 2.4 milionë dollarë.
Jo më kot ajo quhet mbretëresha e sporteve, sepse me garat e saj, atletika tërheq vëmendjen e të gjithë shikuesve në mbarë botën, pasi stadiumet janë të gjitha plot.