Përfundon epoka e dytë e Allegrit të Juve, shkarkim i menjëhershëm
Massimiliano Allegri nuk është më trajner i Juventusit. Dy ditë pas fitores së Kupës së Italisë ndaj Atalantës, klubi bardhezi zgjodhi t’i japë fund marrëdhënies me trajnerin toskan.
Vendimi vjen pas një takimi që filloi pasdite në selinë e klubit, dhe ku përfshiu ish-trajnerin, Giuntoli dhe drejtuesit e lartë të klubit.
Dy javë para përfundimit të kampionatit, përfundon epoka e dytë e Allegrit në krye të Juventusit, e cila filloi në maj 2021 me vullnetin e Andrea Agnelli.
Ky është njoftimi për shtyp nga klubi: “Juventus njofton se ka liruar Massimiliano Allegrin nga detyra e trajnerit të ekipit të parë. Shkarkimi vjen pas disa sjelljeve gjatë dhe pas finales së Kupës së Italisë, të cilat klubi i konsideroi të papajtueshme me vlerat e Juventusit dhe me sjelljen që duhet të kenë ata që e përfaqësojnë. Përfundon një periudhë bashkëpunimi, e cila filloi në vitin 2021 dhe përfundoi pas 3 sezoneve të fundit së bashku me finalen e Kupës së Italisë. Klubi i uron Massimiliano Allegrit fat në projektet e tij të ardhshme”.