Arsenali ndalet nga Fulhami, Man United përmbys Nottinghamin
Arsenal është ndalur në një barazim në shtëpi nga Fulham, derisa Man United përmbysi Nottingham Forestin në kuadër të xhiros së tretë në Premier League.
“Topçinjtë” arkëtuan vetëm një pikë në “Emirates” duke barazuar 2:2 me Fulhamin, kurse “Djajtë e Kuq” ia dolën të triumfojnë ndaj Nottingham Forestit (3:2).
Fulham e nisi për mrekulli ndeshjen ku pas vetëm disa sekondave Andreas Pereira shënoi nga distanca pas një gabimi amator të mbrojtjes vendase.
Arsenal arriti të barazojë përmes kapitenit Martin Odegaard në përfundimin e pjesës së parë mirëpo që u anulua për pozitë jashtë loje.
Në 45-minutëshin e dytë, skuadra e Artetas tregoi ‘fytyrë’ krejtësisht tjetër duke e përmbysur këtë rezultat.
Fillimisht, Bukayo Saka realizoi nga pika e bardhë pas një 11-metërshi të shkaktuar nga Kenny Tete (70’).
Ndërsa, vetëm tre minuta më vonë Fabio Vieira për mrekulli e gjeti Eddie Nkeitah që përmbysi rezultatin në 2:1 (73’).
Gjërat për Fulham veçse u vështirësuan kur Calvin Bassey u ndëshkua me karton të kuq, si pasojë e dy kartonëve të verdhë (83’), mirëpo kjo nuk i ndali mysafirët. Ishte Joao Palhinha që realizoi një eurogol për ta barazuar rezultatin (87’).
Arsenal tani zë pozitën e dytë me shtatë pikë, kurse Fulham në vendin e 11-të me katër sosh.
Ndërsa, Manchester United ka bërë një rikthim fantastik nga 0:2 në 3:2 për ta mposhtur në “Old Trafford” Nottingham Forestin.
Mysafirët realizuan dy gola të shpejtë, më saktësisht për katër minuta me anë të Taiwo Awoniyi dhe Willy Boly.
Sidoqoftë, Man United ngushtoi epërsinë vetëm 13 minuta më vonë me Christian Eriksen që u asistua nga Marcus Rashford (17’), rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.
Mesfushori Casemiro shënoi një gol nga afërsia pas harkimit të Bruno Fernandesit për ta barazuar rezultatin (52’).
Kurse, fitoren e vendasve e vulosi vetë kapiteni Fernandes duke u treguar i saktë nga pika e bardhë (76’).
Me këtë triumf, Man United ngrihet në pozitën e pestë me gjashtë pikë derisa Nottingham bie në vendin e 14-të me tre sosh.