I bëhet publik numri i telefonit, Ederson i qet mesazhet që ia dërguan tifozët e Arsenalit
Tifozët e Arsenalit i kanë shkruar disa mesazhe portierit të Manchester Cityt, brazilianit Ederson, pasi numri i tij rrodhi në internet të martën.
Braziliani zbuloi se numri i tij personal i telefonit kishte rrjedhur në internet para ndeshjes së Cityt kundër Tottenhamit, duke bërë që tifozët e Arsenalit t’ia dërgonin një breshëri mesazhesh në një përpjekje për ta dekoncentruar portierin.
Ederson postoi një fotografi të bisedave të tij në WhatsApp me mbishkrimin: “Numri im u zbulua dhe kisha disa mesazhe komike”.
Një mesazh nga një tifoz i Arsenalit shkruante: ‘Përshëndetje zot i bukur brazilian, sa para i do për një natë të mirë sonte?’.
Sigurisht, ai aludonte për ndonjë gabim të Edersonit me Cityn që para ndeshjes ndodhej në vendin e dytë në renditje, me një pikë më pak sesa Arsenali.
Një tekst tjetër thoshte: ‘Mos mbroni asnjë goditje sonte. Përpara Arsenali’, raporton paparaci.
Por, Manchester City e fitoi ndeshjen e mbetur ndaj Tottenhamit me rezultat 2-0 dhe mori vendin e parë në renditjen e Premier Ligës me dy pikë më shumë sesa Arsenali.
Titulli do të vendoset të dielën kur zhvillohet xhiroja e fundit në ligë.