Shkupi dhe Shkëndija luajnë sezonin, diskutohet bileta e fundit europiane
Struga arriti që të sigurojë titullin e dytë radhazi në Maqedoninë e Veriut, duke mundur në Tetovë, Shkëndijën pastër në shifrat 2-0.
Një javë para fundit, me llogarinë e titullit të mbyllur vëmendja shkon tek skuadrat që do të shkojnë në Kupat e Europës.
Maqedonia e Veriut e ka humbur një biletë për në Europë, teksa vendin e katërt ia rrëmbeu Kosova, që me skuadrat e saj ka bërë më mirë në arenën ndërkombëtare në edicionet e fundit.
Në të tilla kushte, nga Maqedonia e Veriut do të shkojë në kualifikueset e Champions, Struga si kampione dhe në Conference League vendi i dytë si dhe fituesja e Kupës së RMV-së. Duke qenë se në finalen e Kupës do të luajnë Tikvesh dhe Voska Sport automatikisht do të digjet një mes Shkëndijës dhe Shkupit, që do të ngelet jashtë Europe.
Në javën e fundit, dy skuadrat shqiptare do të garojnë në distancë për të shpëtuar sezonin, pasi ekipi që do të ngelet jashtë Europe natyrisht që do ta konsideroje si një dështim gjithë edicionin.
Shkëndija është skuadra më e avantazhuar, pasi do mjaftonte të fitonte me Rabotnickin në transfertë e të mbante statusin e nënkampionit, ndërsa në anën tjetër, Shkupi jo vetëm që duhet të fitojë përballë Strugës në transfertë, por të shpresojë që Shkëndija të mundet në ndeshjen e saj. Në rast se Shkëndija barazon me Rabotnickin dhe Shkupi fiton, atëherë sërish do të ishin kuqezinjtë që do renditeshin më lart për shkak të përballjeve direkte.
Ndeshjet e javës së fundit në Maqedoninë e Veriut do të luhen të dielën e 19 majit. /SS/