Trajneri i Tottenhamit: Ndeshja kundër Cityt rast për t`u matur me më të mirët
Trajneri i Tottenham Hotspur, Ange Postecoglou, është shprehur se ekipi i tij nuk është i preokupuar me garën për titullin në Premier League mes Manchester City dhe Arsenalit, por e sheh ndeshjen e së martës kundër Cityt si një sfidë për të matur veten me më të mirët.
City, i vendosur në pozitën e dytë, po përpiqet ta tejkalojë Arsenalin, i cili ka një pikë më shumë po edhe një ndeshje më shumë.
Ndërkohë, “Spurs” po përpiqet ta ngushtojë diferencën prej katër pikëve me Aston Vilën, e vendosur në pozitën e katërt, në një përpjekje për të luajtur në Champions League.
“Kur luani kundër Manchester City, veçanërisht në fund të një sezoni kur ata janë gjithmonë në maksimumin e tyre, është një sfidë. Ne kemi një mundësi për të matur veten me më të mirët”, tha Postecoglou për gazetarët të hënën.
Ai gjithashtu ka njoftuar se për shkak të dëmtimeve, Yves Bissouma dhe Richarlison do të mungojnë në ndeshjet e mbetura të sezonit.