Rinovimi i Kroosit me Realin i pasigurt, kërkohet nga Man City
Manchester City është duke konsideruar transferimin e mesfushorit të Real Madridit Toni Kroos, me gjermanin që ende nuk ka vendosur për të ardhmen.
Kroos ka kaluar dekadën e fundit te Real Madridi, që iu është bashkuar “Los Blancos” në vitin 2014 dhe që atëherë ka qenë mahnitës.
Gjermani ka punuar me trajnerin Pep Guardiola në sezonin 2013/14 ndërsa tani të dy mund të ribashkohen sërish në “Etihad Stadium”.
Sipas mediumit spanjoll “Defensa Central”, City ka shprehur interesim për Kroosin, me Guardiolan që e pëlqen lojtarin shumë dhe e sheh si zëvendësuesi i Gundoganit, mungesa e të cilit ka qenë e madhe këtë edicion te kampioni i Anglisë.
Përpos kësaj, Man City do të ishte i përgatitur që të paguajë Kroosin plot 13 milionë funte për një marrëveshje të shkurtër njëvjeçare.
Gjermani momentalisht ende s’ka vendosur për të ardhmen, me Realin që i ka ofruar rinovimin e kontratës, por momentalisht është i fokusuar për ta fituar Ligën e Kampionëve.
Përballja e fundit e Realit këtë sezon do të jetë ndaj Borussia Dortmundit më 1 qershor në “Wembley” dhe kjo mund të jetë gjithashtu përballja e fundit e Kroosit në fanellën galaktike, raporton nacionale.
Përndryshe, pasiguri mbi të ardhmen ka edhe mesfushori tjetër Luka Modric, që vendimin do ta marrë në ditët në vijim.