“Lukaku bën diferencën”, Capello: Goditje e madhe e Romës, por dëmtohet Italia
Romelu Lukaku është një hap pranë rikthimit në Serie A, teksa sulmuesi pritet që së shpejti të “prejë” biletën nga Londra për në Romë. Një “blic” i verdhekuqve në merkato me iniciativën e presidentit, Dan Friedkin.
Presidenti i klubit italian do të takohet me kolegun e tij amerikan të Chelseat, Todd Boehly për të realizuar një goditje të madhe për Romën. Tashmë, te kryeqytetasit e Jose Mourinhos entuziazmi është shtuar dhe dyshja Dybala-Lukaku bën tifozët të ëndërrojnë titullin. Edhe një ish-trajner i verdhekuqve, Fabio Capello thekson se Lukaku është një goditje e madhe për Romën.
“Lukaku është nga ata lojtarë që në Itali bëjnë diferencën. Aspekti fizik e ndihmon shumë dhe me atë skuadrat fitojnë me më shumë lehtësi. Do të ishte një goditje e madhe për Romën, edhe pse kjo lëvizje dëmton paksa kombëtaren e Italisë. E them këtë sepse me mbërritjen e Lukakut, hapësirat për Belottin do të zvogëloheshin ndjeshëm”, u shpreh Capello.